INFORMATORI HUMANITAR #3

 

 

IOM mbi regjistrimin e luftëtareve te çarmatosur

Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) bën të ditur se regjistrimi i anëtarëve të UÇK për përkrahje në shërbimet e reintegrimit për ata që do të inkorporohen në jetën civile është kompletuar me sukses të plotë që nga 7 gushti 1999. Numri i luftëtarëve të mëparshëm të regjistruar është 8,939.

Gjatë periudhës prej 23 korrikut deri më 7 gusht 1999, pesë ekipe të lëvizshme të IOM-it udhëtuan në 49 Komunat zyrtarisht të njohura të Kosovës, të vendosura në pesë zonat e KFOR-it të mbuluara nga brigadat multinacionale. Në bashkëpunim të afërt mes KFOR-it, UNMIK-ut dhe strukturave të demilitarizuara të UÇK-së, procesi i regjistrimit është kompletuar pa ndonjë problem të madh. Regjistrimi ka për qellim plotësimin e pyetjeve si dhe është lëshuar dokumenti mbi asistimin në reintegrim për çdo luftëtar të demilitarizuar. Këto dokumente do të mundësojnë që luftëtarët e demobilizuar dhe të regjistruar të kenë të drejtën të konkurojnë për asistim në riintegrim përmes Shërbimit Ofiqar të Keshillit Informativ. Ky shërbim momentalisht punon në tërë rajonin përmes zyrave të IOM-it në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë. Ky program do të ketë për qellim që të njihet dhe t’i plotësojë nevojat e reintegrimit të luftëtarëve të mëparshëm, duke nënkuptuar regjistrimet, këshillimet, përgatitjet, punësimin dhe mundësitë tjera të ofruara.

Sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, IOM është thirrur prej UNMIK-ut dhe KFOR-it të veprojë si qendër kryesore në përgatitjen dhe implementimin e programit të reintegrimit për luftëtarët e mëparshëm të UÇK të cilët do të reinkorporohen në jetën civile. Si moment kyç në zhvillimin e programit të reintegrimit është caktuar edhe afati.

Kjo datë është caktuar për zhvillimin e profileve socialo-ekonomike dhe demografike të cilat do të shërbejnë për ndihmën e luftëtarëve të demilitarizuar t’i kthehen jetës civile.

 

 

Dy-tre muaj për pastrimin e parkut të Gërmisë nga minat

Derisa disa prishtinas shkojnë drejt Gërmisë në kërkim të ajrit të pastër, Kevin Person, me ekipin e tij, bëjnë pastrimin e terrenit nga mjetet eksplozive.

"Momentalisht me ekipin tim punojmë në Gërmi. Arsyeja pse veprojmë në këtë rajon është se ky është i vetmi vend ku popullata lokale mund të pushojë" thotë Personi. Mirëpo, fatkeqësisht, vazhdon ai, "në këtë rajon dyshojmë se ka shumë mjete eksplozive të cilat paraqesin rrezik për vizituesit e saj. Gjatë punës së deritashme kemi gjetur 100 bomba të paeksploduara, fakt i cili vërteton dyshimin tonë. Ne do të vazhdojmë me studimin e rajonit dhe pastrimin e tij, mirëpo për pastrim të tërësishëm do të na nevojiten dy-tre muaj. Me këtë rast dua të shfrytëzoj rastin që t’i ftoj të gjithë ata që hasin në bomba, mina apo mjete tjera eksplozive që menjëherë të informojnë misionin e kombeve të bashkuar ose KFOR-in.

 

Interneti së shpejti edhe në Kosovë

Për disa javë, qytetarët e Kosovës përsëri do të kenë mundësinë që të kyçen në rrjetin e internetin. Nëprmjet shtatë qendrave të internetit të cilat do të vendosen në qytetet kryesore në Kosovë, ky mjet i komunikimit do të jetë në shërbim të qytetarëve.

"IOM-i në bashkëpunim me IRC dhe dy organizata tjera është duke punuar në drejtim të sjelljes së pajisjes së nevojshme në Prishtinë, për të vendosur lidhje të drejtpërdrejtë satelitore me qëllim që kjo lidhje të fillojë të funksionojë sa më shpejtë. Pas vendosjes së lidhjes në Prishtinë do të vazhdohet drejt vendosjes në qendrat tjera në Kosovë", thotë Majkëll Barton përgjegjës për marrëdhënie me opinionin në IOM-it.

" Përveç vendosjes së pajisjes së nevojshme, ne planifikojmë që të organizojmë edhe kurse për përdorimin e kompjuterit për qytetarët. Dëshira jonë është që të mbulojmë tërë territorin e Kosovës. Do të fillojmë me Prishtinën, do të vazhdojmë në Ferizaj, pastaj në Pejë, Gjakovë, Gjilan dhe në Mitrovicë. Duhet të theksoj se në fillim shërbimet për kyçje në Internet do të jenë falas".

 

Projekt i UNHCR-së, me partnerët e saj

Vendstrehime për të gjithë para se të vijë dimri

Një nga sfidat më të mëdha për komunitetin ndërkombëtar është që të sigurohet se çdo njeri në Kosovë ka strehim për dimër. Duke iu referuar një variante të shqyrtuar, nevojat e mbetura janë tejet të mëdha.

Në kuadër të projektit "Ndihmë e shpejtë për fshatrat", i cili koordinohet nga UNHCR-ja, është vështruar gjendja në mëse 450 fshatra dhe janë regjistruar mbi 50.000 shtëpi të shkatërruara. Agjencia Amerikane e Hartave dhe Fotografive, që mbulon tërë Kosovën, gjatë majit dhe qershorit bëri një mbikëqyrje të shtëpive të shkatërruara dhe regjistroi 67.000 vendbanime të dëmbtuara dhe të shkatërruara. Nga një mbikëqyrje e bërë në 1.383 fshatra nga Unioni Evropian, Grupi për Menaxhim Ndërkombëtar, u konkludua se 78.000 shtëpi janë tejet të shkatruara dhe të prishura.

Shumica e rikonstrukcioneve parashikohet të kryhen para dimrit. Koha e kufizuar, prodhimi dhe ndihma logjistike do të thonë se një numër i vogël i shtëpive do të mund të rindërtohen para borës së parë. UNHCR dhe partnerët e saj, sidomos ECHO dhe OFDA, përpiqen të ndihmojnë ata të cilët janë kthyer dhe kanë gjetur shtëpitë e tyre të shkatërruara duke u krijuar kushte për jetesë në të paktën një apo dy dhoma para se të arrijë dimri. Komponentat të cilat do të shpërndahen, do të jenë dritare plastike mbuloja plastike, dru, vegla pune, gozhda, dru për nxemje dhe materiale të tjera.

Mes tyre, UNHCR-ja dhe organizatat tjera do të shpërndajnë më shumë se 78.000 pjesë për objekte strehimi dhe 15.000 tenda për dimër. Por, kjo ndihmë humanitare nuk e zgjidh çështjen definitive të rindërtimit të shtëpive të shkatërruara. Shumë të kthyer do të detyrohen të banojnë nëpër shtëpi të nikoqirëve, apo në strehimoret e organizatave derisa të përfundojë rindërtimi i plotë i shtëpive.

 

Bujqit anembanë Kosovës thonë: "Bukën dua ta siguroj vetë"

Korja e grrurit të mbjellur gjatë vjeshtës së kaluar filloi, përkundër rreziqeve nga mjetet eksplozive. Dëshira e madhe për mbledhjen e çdo kokre të grrurit i bën ballë të gjitha problemeve me të cilat ballafaqohen bujqit në Kosovë.

"Ka tre ditë që të gjithë së bashku gjendemi në arat e kooperativës dhe kemi filluar me korrjen e grurit. Përkundër ndihmave humanitare ne jemi të obliguar që vet me forcat tona t’ia sigurojmë bukën vetvetes. Duhet të themi se kemi frikë nga mjetet eksplozive dhe se frikohemi se mos vallë ato janë të vendosur diku në mes të grurit." thonë Rahim Bekolli dhe Shefqet Gashi, të cilët i takuam deri sa punonin në arë.

Edhe punëtorët e arsimit i kanë përvjelur krahët dhe iu kanë mveshur punës me zell. Në fshatin Trudë takuam Nebi Shalën, arsimtar. "Gjatë vjeshtës së kaluar arrita të mbjell 3.5 hektarë me grurë dhe tani, ashtu siç edhe e shihni, jemi duke e korrë. Kurrë nuk kam besuar se mund t’i përballoj rrezikut të minave. Mirëpo, dëshira për ta mbledhur çdo kokër të grurit me qëllim që t’i ndihmoj të gjithë atyre që kanë nevojë për t’u më bërë më të fortë dhe më të vendosur. Bukën dua ta siguroj vetë, me djersë, ashtu siç më kanë edukuar prindërit e mi".

Në bisedë me një bujk nga i njëjti fshat kuptuam se nga 65 arrit e tij ka aritur të korrë 3 tonë grurë. Ai ishte shumë krenar me këtë, posaçërisht nga fakti se përveç që ka arritur që t’ia sigurojë bukën familjes së vet, do të mund t’i ndihmojë edhe atyre që kanë nevojë për ndihmë.

Punën të cilën bujqit janë duke e bërë në këto rrethana jep shpresë se korrja e grrurit do të përfundojë në afatin e paraparë.

 

Gjilani ka nevojë për barëra

Furnizimi i Gjilanit me barëra bëhet përmes dy barnatoreve shtetërore dhe dy barnatoreve private. Numri i atyre që kërkojnë barëra është i madh, andaj ndjehet edhe nevojë e madhe për ta në këtë komunë. Furnizimi i këtyre barnatoreve bëhet vetëm nëpërmjet organizatave humanitare, siç janë Farmacistët pa Kufi, të cilët janë ndër donatorët kryesorë në Kosovë. Sasia që plotëson kjo organizatë nuk plotëson as për së afërmi nevojat që kanë 100.000 banorë të kësaj komune.

 

 

Program për punësim në Çabër

Komisioni evropian dhe UNDP, në fshatin Çabër promovuan programin për rindërtimin dhe punësëimin në fshat. Fshati Çabër është i vetmi vendbanim në komunën e Zubin Potokut I cili është shkatërruar tërësisht. Ky program do të ndikojë pozitivisht në ekonominë e këtij fshati. Këtu do të punojnë 100 punëtorë, me paga me të cilat do të mund të mbajnë familjet e tyre.

 

Vazhdon kthimi i të strehuarve në shtetet e perëndimit

Dëshira për kthim sa më të shpejt në shtëpitë e veta është duke i tejkaluar edhe parashikimet e optimistëve më të mëdhenj. Duke mos patur durim që të presin kthim të organizuar, një numër i të dëbuarve të cilët me programin për evakuim humanitarë ishin evakuuar në shtetet e Evropës Perëndimore, SHBA, Kanada dhe Australi, duke i paguar vet shpenzimet e veta, janë duke u kthyer në Kosovë.

Shumica e qeverive që strehuan të dëbuarit, atyre që kthehen u japin një sasi të të hollave me të cilat ata do të mund të rifillojnë jetën e tyre në Kosovë.

 

Në Skënderaj filloi viti i ri shkollor

Në komunën e Skënderajt filloi viti i ri shkollorë. Me punë filluan dy shkollat të mesme dhe nëntë shkolla fillore. Mësimi nuk filloi në disa fshatra, në të cilat shkollat janë të dëmtuara si dhe numri i banorëve të kthyer është i vogël.

Nxënësit e shkollave në të cilat filloi mësimi me kënaqësi të posaçme pritën momentin e fillimit të vitit shkollorë.

Djertorati i arsimit dhe KFOR-i do të bëjnë dezinfektimin e disa lokaleve shkollore. Po ashtu do të sigurohen tenda dhe inventar për zhvillimin e procesit arsimor, si dhe të ardhurat për punëtorët e arsimit.

Përfaqësuesit e UNHCR-së, UNICEF-it, UNMIK-ut dhe organizatave tjera kanë premtuar se do të angazhohen për t’i siguruar kushtet e nevojshme për zhvillimin e procesit arsimor.

 

Edhe mjekët e KFOR-it në ndihmë qytetarëve

Pas shkuarjes së regjimentit britanik të parashutistëve, në ndërtesën e ish-stacionit policor janë vendosur forcat e regjimentit mbretëror irlandez.

Detyra kryesore e këtij regjimenti, sipas fjalëve të kapitenit Sajmon Shërli, është të sigurojë rendin dhe paqen në qytetin e Prishtinës. "Shpresojmë se duke i kryer aktivitetet tona do të arrijmë të normalizojmë situatën dhe të sigurojmë kushte normale për të gjithë që jetojnë në Prishtinë. Mirëpo, përpos këtyre, ne udhëheqim edhe disa aktivitete tjera mjaft të rëndësishme për qytetarët e Prishtinës. Deri më tani, në bashkëpunim me organizatat tjera, kemi ndihmuar dhe financuar rihapjen e disa dyqaneve në Prishtinë. Ajo që është shumë me rëndësi është se mjekët në radhët tona tash e tutje do të jenë në disponim të prishtinasve".

"Unë jam i interesuar për t’i plotësuar nevojat e banorëve të Prishtinës. Në këtë drejtim mendoj se qytetarët kanë nevojë të madhe për ndihmë mjekësore, e sidomos për ndihmën e parë. Atë që dua ta them me këtë rast është se ne do të kujdesemi për banorët e Prishtinës jo vetëm në ambulanca dhe spitale, por në qoftë se paraqitet nevoja, ne do t’ua ofrojmë ndihmën e nevojshme edhe nëpër shtëpitë e tyre. Për këtë do të kujdesen ushtarët mjekë të cilët janë në rradhët tona. Dua të theksoj se ndihmën tonë do t’ua ofrojmë të gjithëve, që do të thotë shqiptarëve, serbëve dhe të gjithë të tjerëve që jetojnë në Prishtinë" thotë majori Majk Hud.

Prej vizitave të deritashme, sipas majorit Hud, pacientët kryesisht janë ankuar nga infekcionet akute, tension të lartë, reumatizëm e tjerë.

Regjimenti irlandez, në bashkëpunim me organizatën britanike DFID, punojnë në zhvillimin dhe normalizimin e spitalit të Prishtinës.

Telekoms Sans Frontiers lidh kosovarët me botën

Organizata joqeveritare francese "Telekom Sans Frontieres" (Telekomi pa kufi) arriti në Mitrovicë në qershorin e kaluar, me 13 telefona satelitorë. Qëllimi kryesor është që njerëzve t’u jipet mundësia e kontaktimit me të afërmit apo miqtë që ende jetojnë si refugjatë në shtetet e jashtme. Është nevojë e madhe e refugjatëve të cilët ende ndodhen në shtetet e jashtme të kuptojnë se çfarë është situata në Kosovë", shpjegon Xhulien Milanesi, njëri prej punëtorëve të logjistikës në Telekom Sans Frontieres. Shumica e njerëzve dëshiron të kuptojë se në çfarë gjendje është shtëpia e tyre, që të dinë se çka të presin kur të kthehen". Njerëzit i vëjnë kontaktet satelitore me të afërmit e tyre falas dhe të afërmve të vetë u japin numrat e telefonit të Telekom Sans Frontieres, qe ata menjëherë të mund t’i thërrasin.

Nga këto thirrje, 80 deri 90 për qind vijnë nga Gjermania, Zvicra, Austria dhe Suedia. Kosovarët gjithashtu mund të përdorin edhe telefaksin falas.

Telekom Sans Frontieres gjithashtu viziton çdo ditë shumë fshatra në rrethin e Mitrovicës.

"Merremi edhe me pikat që i përkasin shpërndarjes së ushqimit, sipas nevojës, dhe ua ofrojmë njerëzve shërbimet tona ashtu që këto ndihma të arrijnë tek familjet e tyre", thotë Zhulien Milanesi. "Ofrojmë diku rreth 400-500 thirrje në ditë". Në javët e ardhshme Telekoms Sans Frontieres planifikon t’i zgjerojë aktivitetet në mbarë Kosovën.

Banorët e Mitrovicës mund të shfrytëzojnë këto shërbime në qedrën e Telekom Sans Frontieres, që ndodhet pranë urrës, prej orës 9 deri në ora 18.

Arrin edhe material për rindërtimin e shtëpive

Para disa ditëve në Prishtinë aritën 17 vagonë me lëndë druri të cilat do të shpërndahen në pjesët ku ka nevojë më së tepërmi për to. Ky material ndërtimorë përfshin trarët e çative dhe materiale tjera për rindërtimin e shtëpive.

 

Në Maqedoni kanë mbetur edhe 62 fëmijë pa prindër

Sipas marrëveshjes me UNHCR-në dhe UNICEF-in, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) ka hulumtuar të gjitha raportet për rastet e fëmijëve pa prindër të të dëbuarve të mbetur në Maqedoni dhe njëherit ka kompletuar të gjitha raportet për këto raste.

UNICEF-i ka dhënë këshilla psikologjike për këta fëmijë, para se ata të lëshojnë Maqedoninë.

UNHCR, UNICEf-i dhe ICRC janë duke punuar me ambasadat e vendeve të ndryshme për të bërë bashkimin e fëmijëve të ndarë nga prindërit, përfshirë këtu edhe familjet që jetojnë jashtë.

ICRC ka raportuar për 62 raste të fëmijëve pa prindër që jetojnë në kampe apo në familjet shqiptare në Maqedoni.

Shumica e këtyre rasteve në fakt janë fëmijë të pashoqëruar, pa të afërmit e tyre, shokë ose fqinj të dikurshëm, aq më shumë pa prindërit e tyre.

Në të shumtën e rasteve, vendi në të cilin gjenden prindërit e tyre dihet dhe ata kthehen dhe i marrin fëmijët, ose fëmijët kthehen në Kosovë me të afërmit e tyre për t’u bashkuar me prindërit e tyre.

Nga 18 fëmijë që jetojnë në kampe, pa njërin apo pa dy prindërit, pjesa më e madhe e tyre janë prej moshës 11-18 vjeçare dhe nuk kanë asnjë të afërm. Së shpejti do të dihet se ku ndodhen prindërit e të gjithë këtyre fëmijëve.

Ekzistojnë edhe dy raste të fëmijëve (njëri 16 e tjetri 17-vjeçar) të cilët kanë refuzuar të bashkohen me prindërit e tyre, me të cilët Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq është në kontakt.

Ka edhe një rast të një fëmije i cili është harruar në kamp, i cili tani jeton në një familje shqiptare në Maqedoni, mirëpo deri tani ende nuk është arritur të kuptohet nëse fëmija është nga Maqedonia apo nga Kosova.

 

Vështirësi rreth përmirësimit të rrjetit elektrik

Gjatë ditëve të fundit është çrregulluar furnizimi me energji elektrike në tërë Kosovën. Përfaqësuesit e Elektro Ekonomisë së Kosovës theksojnë se ndërprerja e rrymës elektrike është pasojë e rënies së largëpërçuesit të tensionit të lartë në fshatin Krajkovë në afërsi të Gllogovcit, i cili njëherit shërben si kyçje për përcjelljen e rrymës elektrike nga sistemi elektroenergjetik i Shqipërisë.

Problem i posaçëm është pamundësia të punohet në rrjetin e dëmtuar, për shkak se në vendet ku kalojnë largëpërçuesit supozohet se ka mina dhe bomba kasetë, prej të cilave u kanoset rreziku punëtorëve.

 

Flesh lajme

Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka filluar të ndajë pagat për 25 gjykatës dhe 14 nëpunës të doganës. Gjatë javës së ardhshme paga do të ndahen edhe për të punësuarit tjerë siç janë punëtorët shëndetësorë, ato të arsimit, zjarëfikësit e tjerë.

Nga fundi i shtatorit do të fillojë puna me verifikimin e identitetit dhe vendbanimeve të banorëve të Kosovës dhe krijimin e një regjistri qendror. Kartat e para për identifikim UNMIK-u do të fillojë t’i shpërndajë në tetor.

Sipas KFOR-it, teknikët e forcave italiane do të ndërtojnë një aeroport në rajonin e Pejës. Pista e fluturimit do të jetë e gjatë 1.500 metra dhe do të mundësojë aterimin e aeroplanëve ushtarakë transportues.

Punimet për ndërtimin e aeroportit do të fillojnë nga mesi i gushtit dhe do të përfundojnë brenda këtij viti. Ky aeroport do të mundësojë përkrahjen logjistike të kontingjentit italain dhe do t’i kontribuojë ekonomisë dhe rindërtimit të këtij rajoni.

Çarshia e Gjakovës së shpejti do ta fitojë pamjen e mëparshme. Për rindërtimin ë kësaj lagjeje të vjetër më se 400 vjet do të kontribuojë USAID, agjenci shtetërore amerikane. E njëjta agjenci do të bëjë përpjekje që këtë lokacion me vlerë të madhe kulturo-historike ta vëjë në konkurencë me monumentet dhe objektet e ngjashme të kulturës botërore, të cilat gëzojnë kujdesin e UNESKO-s.

 

Shtëpia e shëndetit në Deçan ka filluar punën para disa ditëve. Në këtë shtëpi shëndeti tani punojnë dy internistë, dy pediatër, një otorinolaringolog, tre gjinekologë, pesë mjekë dhe shtatë stomatologë, si dhe një numër i konsiderueshëm i personelit ndihmës.

Në komunën e Deçanit u lëshuan në punë edhe ambulancat në Strellc, Papaçan, Irzniç, Lumbardhë, Gramaçell, Drenoc dhe Junik. Në aftësimin e objekteve dhe pajisjeve kanë dhënë ndihmë edhe Kryqi i Kuq Japonez si dhe disa donatorë privatë.

Në pesë zona të Kosovës fillon shpërndarja e formularëve për regjistrimin e lindjeve, vdekjeve dhe martesave. Formularët do të jenë në gjuhën shqipe dhe serbe dhe do të kenë emblemën e Kombeve të Bashkuara.