INFORMATORI HUMANITAR #4

 

 

 

Ron Redmond:

Duhet pranuar objektet e strehimit që do t’jua ofrojë UNHCR!

"I lusim të gjithë ata të cilëve u ofrohet ky lloj strehimi, që atë ta pranojnë, për arsye se kjo do të jetë e tëra që do të pranoni për këtë dimër. Ne dëshirojmë që ju të rregulloni një dhomë e cila do të jetë e ngrohtë për familjet tuaja dhe pas dimrit, në pranverën e ardhshme, popullata e strehuar do të ketë mundësi që të fillojë rindërtimin e shtëpive të veta", thotë Ron Redmondi, zëdhënës i UNHCR-së.

Komesariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara — UNHCR, tre muajt e fundit ishte përqendruar në kthimin e të dëbuarve në shtëpite e tyre. Përderisa kthimi i refugjatëve është në përfundim e sipër, qëllimi kryesor i kësaj organizate tani është strehimi i popullatës.

"UNHCR, së bashku me disa organizata tjera, ka sjellë 75.000 objekte strehimi. Ato janë shumë të thjeshta, janë të mbuluara me një plastikë të trashë, që përdoret për kulm, një sasi të drurit, që mund të përdoret për nevoja të ndryshme, si dhe disa lloje të tjera të plastikës, të cilat mund të shfrytëzohen për dritare. Qëlllimi i ndarjes së këtyre shtëpizave është që këtyre familjeve t’u sigurohet një dhomë për të përballuar kushtet atmosferike", na deklaroi Ron Redmondi, zëdhënës i UNHCR-së.

Në vazhdim të intervistës dhënë radio-programit "Në emër të humanizmit", Redmond thotë se kjo ndihmë duhet të pranohet nga të gjithë. UNHCR-ja është organizatë vetëm për ndihmë urgjente dhe për rehabilitimin e të dëbuarve. Gjatë javëve të ardhshme, UNHCR-ja do të montojë kulme nëpër tërë Kosovën, të cilat do të mundësojnë riparimin e shtëpive të shkatërruara, mirëpo, sipas tij, problemi është se nuk ka kulme për të gjithë. Gjatë ndarjes së kulmeve, sipas Redmondit, prioritet do të kenë ata të cilët më së shumti kanë nevojë për ta, me çrast duhet thënë se dy apo tri familje, në rast nevoje, do të duhet të tubohen nën një kulm.

"UNHCR-ja gjithashtu do të përpiqet që t’u sigurojë edhe stufat për sezonin e dimrit, me qëllim që familjet ta kenë më lehtë gjatë përgatitjes së ushqimit dhe nxehjes së shtëpive të tyre. Kjo do të jetë e tëra që do të shpërndahet nga kjo organizatë".

Në fund të intervistës së dhënë emisionit "Në emër të humanizmit", zëdhënësi i UNHCR-së, Ron Redmond, apeloi:

"I lusim të gjithë ata të cilëve u ofrohet ky lloj strehimi, që atë ta pranojnë, për arsye se kjo do të jetë e tëra që do të pranoni për këtë dimër. Ne dëshirojmë që ju të rregulloni një dhomë e cila do të jetë e ngrohtë për familjet tuaja dhe pas dimrit, në pranverën e ardhshme, popullata e strehuar do të ketë mundësi që të fillojë rindërtimin e shtëpive të veta. Atë që dua t’jua them dhe njëkohësisht edhe t’ju lutem, është që të mos mendoni se nëse nuk i pranoni ato, do të pranoni diçka më të mirë për këtë dimër. Andaj, pranoni ndihmën tonë të cilën së shpejti do t’jua ofrojmë. Ne besojmë se në pranverë shumë organizata do të fillojnë punën në rindërtimin e shtëpive dhe tek atëherë do fillojmë ta zvogëlojmë aktivitetin tonë në Kosovë".

 

Meknamara: Duhet intensifikuar furnizimi me ndihma

I dërguari special i UNHCR-së Denis Meknamara tha se duhet të bëhen përpjekje të mëdha që furnizimi me artikuj të nevojshëm, posaçërisht ai ushqimor dhe me material ndërtimor, të përshpejtohet për shkak të afrimit të dimrit, i cili në Kosovë është i ashpër. Ai tha se ndihmat janë duke ardhur, por më ngadalë sesa kthimi i qytetarëve të Kosovës. Prandaj, duhet intensifikuar veprimtarinë për sjelljen e materialeve.

 

Ndërtohet aeroport në afërsi të Gjakovës

Forcat e KFOR-it filluan të ndërtojnë aeroportin në Gjakovë, i cili do të jetë i gjatë 2.800 metra dhe në tëdo të mund të aterojnë të gjitha aeroplanët, përveç më të mëdhenjve. Aeroporti do të ndërtohet aty ku më parë ishte aeroporti bujqësor dhe është hapi më serioz për zhvillimin e kësaj komune.

Në fillim ky aeroport do të shfrytëzohet vetëm për aeroplanët dhe helikopterët ushtarakë, ndërsa më vonë edhe për aeroplanët civil.

 

Nga Finlanda kthehen 216 veta

Vargut të të dëbuarve të kthyer nga SHBA, Australia dhe nga Evropa, iu shtuan edhe 216 refugajtë nga Finlanda. Gjatë muajit prill të këtij viti, Finlanda evakuoi 1.000 veta nga kampet e Maqedonisë.

Qeveria e këtij vendi të gjithë atyre që dëshirojnë të kthehen në Kosovë u ka siguruar lejen e qëndrimit për 11 muaj nëse ata duan përsëri të kthehen në Finlandë.

 

Akademia policore e Kosovës fillon punën më 30 gusht

Megjithëse për të hanën e kalur ishte paralajmëruar fillimi i punës së akademisë policore, ku do të përgatiten kandidatët për forcën e re policore të Kosovës, fillimi i punës i kësaj akademie është shtyrë për 30 gusht. Në zyrën e shtypit të OSBE-së që është përgjegjëse për formimin e forcës policore të Kosovës, u tha se kjo shtyrje është bërë vetëm për shkaqe teknike.

"Në konkursin për forcën policore të Kosovës janë paraqitur 18.011 kandidatë nga tërë Kosova, 94 për qind e të paraqiturve janë shqiptarë, 5 për qind serbë, ndërsa 1 për qind janë të nacionalitete të tjera që jetojnë në Kosovë. Në intervistë janë ftuar 400 persona", njoftoi zyra për shtyp e OSBE-së në Prishtinë.

 

 

 

Në shtator kthehen edhe të strehuarit në Çeki

Çekia së shpejti do të fillojë me kthimin e organizuar të të dëbuarve. Me dhjetë fluturimet të cilat duhet të fillojnë më 14 shtatorë të këtij viti, pritet që në Kosovë të kthehen rreth 90 për qind të tyre. Në këtë vend janë vendosur 1.100 të dëbuar, ndërsa kthimi i tyre bëhet në bazë vullnetare.

 

Mungesë lokalesh shkollore në komunën e Deçanit

Rifillimi i vitit shkollor në komunën e Deçanit është i pamundur për shkak të mungesës së lokaleve dhe objekteve shkollore, është vlerësuar në mbledhjen e mbajtur në drejtorinë e arsimit në këtë komunën. Për këtë arsye u vendos që në 13 shkollat fillore dhe të mesme viti shkollorë 1998/99 të rifillojë më 1 shtator dhe të vazhdojë deri më 1 tetor, ndërkaq viti shkollor 1999/2000 të fillojë më 8 nëntor. Gjatë kësaj kohe do të ndërmerren të gjitha masat për të bërë aftësimin e objekteve shkollore si dhe për të siguruar inventarin e nevojshëm shkollor. Për rindërtimin e objekteve të shkatërruara janë dhënë disa premtime nga firmat ndërtimore japoneze "Jen" dhe "Jensen F Jensen", të cilat para disa ditëve vizituan këto objekte, me çrast theksuan se në buxhetin e tyre do të parashohin mjete për të ndihmuar riparimin e këtyre objekteve. Me këtë rast u apelohet qytetarëve që të bëjnë pastrimin e këtyre objekteve.

 

"Vesko" amerikane punëson 500 banorë të Babushës

Me ardhjen e forcave shumëkombëshe dhe paqeruajtëse dhe organizatave të ndryshme humanitare, shumë të rinj janë duke e zgjidhur edhe problemin e punësimit. Kështu, për shembull, firma amerikane "Vesko" në fabrikën e bicikletave në fshatin Babush të Ferizajt do të punësojë afër 500 veta. Për këtë u arrit marrëveshja ndërmjet përfaqësuesve të kësaj ndërmarrjeje dhe përfaqësuesve të këshillit komunal të Ferizajt.

 

Edhe Capa Namur ndërton shtëpitë e fshatrave

Shoqata Humanitare gjermane Capa Namur ka filluar rindërtimin dhe meremetimin e 138 shtëpive në fshatin Dobratin të Llapit, të cilët gjatë luftimeve ishin të djegura ose të shkatërruara tërësisht. Përpjekje për ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive po bëhen edhe në fshatrat e tjera, siç janë Gllamniku, Llapashtica e Epërme, Obranca e tjerë.

Mirëpo, duke patur parasysh se deri në fillim të dimrit nuk ka mbetur shumë kohë, duhet thënë se punët po shkojnë ngadalë.

 

Ndihmohet ndërtimi i shtëpive në Landovicë

Inxhinierët gjerman dhe holandezë kanë filluar të furnizojnë me material ndërtimor banorët e Landovicës afër Prizrenit për të ndërtuar shtëpitë e tyre të rënuara. Zyra e shërbimit ndërtimor do të përkrahë ndërtimin e 200 shtëpive të shkatërruara në këtë rajon.

 

Kongresistët amerikanë: S’ka më evakuim humanitar!

Një delegacion i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vizitoi Maqedoninë, me të vetmin qellim — njohja për së afërmi me problemet dhe situatën e të dëbuarve në vend. Ata vizituan kampin e Neproshtenit, vizituan disa të dëbuar të vendosur nëpër familje në Tetovë, si dhe qëndrën kolektive Dare Bombo. Përfaqësuesit amerikanë u njohën për së afërmi me problemet që i preokupojnë të dëbuarit e vendosur në Republikën e Maqedonisë. Ajo që vlen të theksohet nga kjo vizitë është edhe pyetja shpesh herë e përsëritur e të dëbuarve të venosur këtu në Maqedoni, posaçërisht në kampe, se a planifikohet dhe a do të behet organizimi i ndonjë programi të ri për evakuim humanitar. Konkresistët amerikanë theksuan qartë se nuk planifikohet dhe nuk do të ketë evakuim humanitar, me çka edhe u shuan shpresat e atyre që pritnin të shkojnë në SHBA. Ata që vazhdojnë të shkojnë në SHBA janë zgjedhur para përfundimit të Programit për Evakuim Humanitar, ndërsa dërgimi i tyre ende nuk është realizuar në tërësi. Pra, nuk do të ketë program të ri për evakuim.

 

SOS — Kosova ndihmon spitalin e Podujevës

Shoqata SOS - Kosova me seli në Gjenevë, në të ardhmen do të ndihmojë shtëpinë e shëndetit në Podujevë. Përfaqësuesit e kësaj organizate u takuan me njerëzit kompetentë të Podujevës dhe u pajtuan që në të ardhmen kjo shoqatë, në bazë të pëlqimit të marrë nga Drejtorati për Shëndetësi dhe Punë Sociale, të marrë përsipër transportimin e ndihmave humanitare të dedikuara për shtëpinë e shëndetit në këtë qytet. Me këtë ajo do ta zbusë deri-diku gjendjen e rëndë shëndetësore në këtë anë.

 

Hendicap International ndihmon edhe në rehabilitimin e pacientëve

Mbi 150 veta deri më tani janë paraqitur në përfaqësinë e Organizatës Humanitare Hendicap International në Prishtinë për të kërkuar ndihmën e mjekëve të angazhuar në kuadër saj.

"Zyra e organizatës tonë është e vendosur në Prishtinë dhe ka për detyrë të mbulojë këtë qytet, Podujevën, Lipjanin, Obiliqin dhe komunën e Fushë Kosovës. Filluam me identifikimin e personave të cilët kanë nevojë për ndihmë dhe bëmë diagnozën e sëmundjeve të tyre. Qëllimi i vizitave ishte të njihemi për së afërmi me problemet e pacientëve dhe t’u ndihmojmë që t’i tejkalojnë ato", thotë mjeku Sinan Rusinovci, i punësuar në këtë organizatë. "Gjatë vizitave tona hasëm raste të ndryshme kur pacientët kanë patur nevojë të madhe për ndihmën tonë. Atë që dua ta them me këtë rast është se organizata jonë përveç ndihmës mjekësore, pacientëve që kanë nevojë u ofron edhe mjete të ndryshme rehabilitimi".

Të gjithë ata që kanë nevojë të kontaktojnë me këtë organizatë mund të thërasin në telefonin në Prishtinë 27-496.

 

Zhvillimi i rrjetit telefonik për dy muaj

Krahas problemeve të shumta, kosovarët ballafaqohen edhe me mosfunksionim e rrjetit telefonik. Punëtorët dhe ekspertët e Post-telekomunikacionit të Kosovës janë duke punuar me të madhe në sanimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës.

"Ne jemi të lumtur që fare funksionojmë", ishin fjalët e para të drejtorit gjeneral Agron Dida. " Situatën të cilën e kemi hasur dhe mundësitë tona për punë janë aq të vogla sa që është çudi që fare funksionojmë në këto rrethana. Prandaj, çdo herë kur të merret kufja dhe dëgjohet sinjali i postës, ju duhet të jeni të lumtur që e keni fituar sinjalin tonë. Ndërpreja e cila ka ndodhur në komunikimin ndërkombëtar është shkaktuar për shkak se një fshatar, në dalje të Prishtinës, në drejtim të Podujevës, duke punuar arrën me buldozher, ka dëmtuar kabllin me të cilin realizohet lidhja ndërkombëtare e Kosovës".

"Ne kemi paraparë dhe koncipuar një projekt i cili tani më është aprovuar nga UNMIK-u. Mendojmë se zhvillimi i postave të telekomunikacionit të Kosovës duhet të realizohet në dy etapa dhe e gjithë kjo do të duhet të bëhet për një kohë sa më të shkurtër. Etapa e parë parashihet të zhvillohet në dy muajt e parë, kur duhet të bëhet instalimi i rreth 250.000 telefonave, vendosja e të gjitha lidhjeve të këputura dhe rivendosja e komunikimit ndërkombëtar. Në fazën e dytë do të investohet në ndërtimin e sistemit të telefonave mobil".

Nëse llogarisim që një shfrytëzues mesatarisht në muaj do të bëjë llogari prej 50 dollarëve amerikanë, me realizimin e 30.000 numrave do të inkasohen të ardhura prej 1.500.000 dollarë amerikan, shumë e cila mund të jetë një impuls i vërtetë për ekonominë e Kosovës. Mes tjerash, Dida thotë se prej 12 të këtij muaji ka filluar edhe llogaritja dhe regjistrimi i impulseve.

 

Mungesë gjaku në spitalet e Kosovës!

Në spitalet e Kosovës ka pacientë të cilëve u nevojitet gjak, siç janë të plagosurit nga minat, të lënduarit në aksidente të ndryshme, si dhe të sëmuarit e tjerë.

"Me fillimin e punës së klinikave dhe me rritjen e numrit të pacientëve ka filluar të vërehet edhe mungesa e gjakut. Siç e dini edhe vetë, kemi shumë të lënduar nga minat dhe nga aksidentet e komunikacionit në rrethin e Prishtinës, por edhe anembanë Kosovës. Mirëpo, ajo që gëzon është gatishmëria e qytetarëve të Kosovës të dhurojnë gjak për ata që kanë nevojë të madhe për të", thotë Agron Kerleku, specialist i transfuziologjisë në Entin e Transfuzionit të Gjakut në Prishtinë.

Deri më tani në disa aksione të ndërmarra anembanë Kosovës janë mbledhur sasi të konsiderueshme të gjakut. "Aksionin e parë e kemi realizuar në zonën e Podujevës, në mesin e ushtarëve të UÇK-së, të cilët i dolën ballë kërkesës tonë për të dhuruar gjak. Aksionet për mbledhjen e gjakut vazhdojnë edhe në vetë entin për transfuzion, në qendrën diagnostike, si dhe në klinikat tjera të fakultetit të mjekësisë të Universitetit të Prishtinës".

Atë që arritëm të kuptojmë nga mjeku Kerleku është se edhe ushtarët e KFOR-it kanë treguar gatishmëri të dhurojnë gjak.

" Edhe ushtarët e KFOR-it janë ofruar për të dhuruar gjak dhe ne u falënderojmë për këtë. Mirëpo, unë mendoj se në këtë moment ne vetë, qytetarët, fshatarët, studentë, të gjithë duhet të jemi ata që inicojnë këto aksione".

"Në Gjilan jam duke e bërë dializën, ndërsa gjakun e kam marrë në Prishtinë. Erdha në këtë institucion dhe mjekët m’i dhanë të gjitha", rrëfen Glihe Demiri nga Kamenica.

"Erdha të jap gjak për nënën time, e cila ndodhet në Klinikën Kirurgjike në Prishtinë. E ndjej veten se mund të jap gjak dhe dua që edhe unë të kontribuoj për shëndetin e nënës simë", thotë Ismet Dervishhodri nga Podujeva.

Doktor Kerleku u bën apel të gjithë atyre që kanë predispozita të japin gjak që t’i përgjigjen ftesës së tij. "Shfrytëzoj rastin që t’u apeloj të gjithë qytetarëve mbar Kosovës që të na ndihmojnë dhe duke dhuruar gjak të shpëtojnë një jetë dhe ajo duhet të jetë motoja e jonë. Diku prej shtatorit presim që të kyçemi në punë me aksionet tona në Universitetin e Prishtinës, ku prej studentëve do të presim një ndihmë të madhe, solidaritet dhe inkuadrim masiv në aksionin për dhënien e gjakut. Planifikojmë që ky aksion të vazhdojë edhe nëpër shkollat e mesme, ku prej maturantëve do të presim që ta japin kontributin e tyre në këtë drejtim. Me këtë rast duhet të them se dhurues të gjakut mund të jenë të gjithë të moshës prej 18 deri më 65 vjet, po që se kanë mundësi. Me dhënien e gjakut personi i ndihmon edhe trupit të vet, me ç’rast bën ripërtërirjen e ruzave të kuqe të gjakut ".

 

Kartonat e gjelbër vlejnë deri në fund të gushtit

Të dëbuarit e vendosur në Maqedoni të cilët posedojnë kartona të gjelbër deri më tani kishin të drejtë që këto kartona t’i shfrytëzojnë edhe si dokumente udhëtimi. Atyre u lejohej që dy herë të kalojnë kufirin, ndërsa gjatë daljes së tretë nga Maqedonia u merrej kartoni i gjelbër. Në bazë të vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë, refugjatët posedues të kartonave të gjelbër këtë të drejtë do të mund ta shfrytëzojnë deri në fund të muajit gusht (31.08.1999). Duke filluar prej një shtatori, nuk do të lejohet hyrja në Maqedoni me kartonat e gjelbër, të cilat do të merren në vendkalimet kufitare gjatë daljes së parë.