INFORMATORI HUMANITAR # 5

 

 

 

UNHCR-ja për strehimin gjatë dimrit

Ndarja e paketave për strehim po merr hov

Programi për sigurimin e strehimit të popullatës së Kosovës i Komesariatit të Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara — UNHCR, ka filluar të marrë hov. Deri më tani janë shpërndarë 5.800 paketa për strehim. Këto paketa janë të dizajnuara që të sigurojnë matërial të mjaftueshëm për të gjithë pronarët e shtëpive, që kanë nevojë për të adaptuar një dhomë, sa për ta kaluar dimrin. Kompletet përmbajnë shtroje plastike të përforcuar për kushte të vështira që mund të përdoren për riparimin e kulmeve dhe plastikë speciale për ndërrimin e dritareve të thyera. Të gjitha këto i keni parë gjatë dhe pas luftës në Bosnjë. Paketat përmbajnë edhe drurë, dërrasa, gozhda dhe mjete të tjera pune. UNHCR-ja ka sjellë mall të ndryshëm me më shumë se 750 kamionë që nga mesi i qershorit në Kosovë, e pjesa dërmuese e ndihmës ka qenë materiali për strehim.

Është e qartë se ky material nuk është i disajnuar për rikostruim të tërësishëm të një shtëpie dhe nuk është i paraparë si një zgjidhje permanente, por si një zgjidhje të përkohshme, e cila do t’i ndihmojë njerëzit të strehohen gjatë këti dimri. Partnerët tanë që bëjnë shpërndarjen e këtij materiali na raportojnë se shumica e kosovarëve po kërkojnë më tepër, duke menduar se UNHCR-ja do t’u ofrojë material të mjaftueshëm që komplet ti rindërtojnë shtëpitë e tyre. Madje dëgjuam se në disa raste pronarët e shtëpive i kanë refuzuar paketat për strehim, duke u frikësuar se në të ardhmen nuk do të mund të kërkojnë material tjetër ndërtimor.

Ne dëshirojmë t’ua potencojmë të gjithëve se këto paketa mund të jenë e vetmja ndihmë që do ta pranojnë gjer në fund të dimrit, prandaj njerëzit duhet ta shfrytëzojnë më së miri në ndërtimin e një dhome, e cila do të jetë e ngrohtë dhe do t’u mundësojë që t’i përballojnë kushtet e vështira atmosferike. UNHCR-ja s'është agjenci për rindërtim, ne ofrojnë ndihmë emergjente, asistencë dhe rehabilitim. Rindërtimi dhe zhvillimi afatgjatë bëhet nga ana e organizatave tjera.

UNHCR —ja ka marrë përsipër ndarjen e një të tretës, apo më pak, të paketave për strehim. Kemi siguruar 16 mijë paketa për strehim dhe 4.400 paketa për meremetimin e kulmeve, të cilat shpërndahen në bazë të disa kritereve. Organizatat tjera që ofrojnë paketa të tilla janë ECHO dhe OFDA nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ECHO ka siguruar 20 mijë paketa strehimi, kurse OFDA 19.300. Në përgjithësi, paketat për strehim nga të tre organizatat do të sigurojnë strehim për afro 387.000 veta, që do të jetë e mjaftueshme për popullatën e cila është "në kategorinë e tretë dhe të katërt", ashtu siç i quajmë ne, shtëpitë të cilat janë të dëmtuara prej 20 deri 60 për qind. Së paku 4 organizata të tjera po ashtu kanë siguruar paketa të tjera strehimi, duke e sjellë numrin e këtyre paketave në 75.000.

Janë gjithashtu rreth 470.000 shtëpi të pariparueshme. Për të ndihmuar popullatën e këtyre shtëpive, jemi duke realizuar një program asistence për familjet nikoqire, për t’i inkurajuar ato të pranojnë të pastrehët këtë dimër. Ne e dimë se kjo do të funksionojë, sepse shumica e refugjatëve që ndodheshin nëpër shtetet fqinje qendronin nëpër shtëpitë e familjeve nikoqire, jo në kampet e refugjatëve. Për ata që nuk kanë se ku të shkojnë, jemi duke identifikuar strhimore të përkohshme kolektive, të cilat do t’i shfrytëzojmë si zgjidhje të fundit që mund ta bëjmë për këtë dimër.

 

FUSHATA E VAKSINIMIT FILLON NË SHTATOR

Me kthimin e popullatës në Kosovë, Shërbimi për Vaksinimin e Fëmijëve, në të gjitha entet shëndetësore në Prishtinë, ka filluar të bëjë vaksinimin e fëmijëve nga mosha 0-5 vjeçare. Me këtë lloj vaksinimi fëmijët do të mbrohen nga sëmundjet ngjitëse, si tuberkulozi, paraliza e fëmijëve, difteria, kolli i keq dhe rubella.

Shërbimet janë duke u kryer me orar të plotë nëpër stacionet shëndetësore të Prishtinës. Punkte për vaksinim të fëmijëve ka edhe në rrethinën e Prishtinës, si në Besi, në Fushë-Kosovë, në Obiliq, në Graçanicë, në Barilevë, në Mramor, në Bardh të Madh, në Slivovë e tjerë.

Në Shërbimin për Vaksinimin e Fëmijëve, brenda ditës frekuentojnë 40-50 pacientë. Kështu, prej fillimit të punës e deri më tash janë vaksinuar afër 1.500 fëmijë.

Por, fushata e vaksinimit të fëmijëve të moshës deri në 5-vjeçare do të fillojë në muajin shtator. Fushata e vaksinimit të fëmijëve kundër sëmundjeve stinore, si[ është gripi, do të fillojë nga muaji tetor e do të vazhdojë deri në janar-shkurt të vitit të ardhshëm.

Këtë shërbim shëndetësor me barëra dhe me pajisje mjekësore e ndihmojnë organizatat humanitare si UNICEF, IMC, MDM dhe MSF.

Mjekët u bëjnë apel prindërve që po qe se kanë fëmijë deri në moshën 5-vjeçare t’i sjellin ata për vaksinim.

 

Gjallëroj Prishtina me kthimin e studentëve

Pas nëntë vjetësh, studentët e Universitetit të Prishtinës sërish u kthyen në konvikte. Që nga dita e parë, Drejtoria e Qendrës së Studentëve ka bërë përpjekje që të bëhen të gjitha përgatitjet rreth adaptimit të objekteve që studentët të startojnë me vendosjen e tyre. Me kthimin e tyre njëherësh u bë edhe një kthesë e madhe e jetës studentore në Prishtinë, sepse qyteti pa ta dukej disi i zbrazët. Drejtori i Qendrës së Sudenëve, Ismet Jashanica, thotë: "Në konviktet e Prishtinës janë vendosr 2.700 studentë. Kemi probleme me ujë, rrymë, nuk ka mjete të mjaftueshme për jetesë, por deri diku mund t‘i plotësojmë nevojat e studentëve. Momentalisht jemi duke kontaktuar me disa donatorë që janë të interesuar të sigurojnë ushqim për studentët, duke pasur parasysh se ushqimi nëpër lokale është shumë i shtrenjtë për xhepin e studentëve. Që sot jemi të gatshëm të hapim menzën po të kishim ushqim".

 

Aksion i UNMIK-ut për pastrimin e terreneve nga minat

Zvogëlohet numri i viktimave, por rreziku mbetet i njëjtë

Një ndër shqetësimet më të mëdha të kosovarëve janë minat e shumta të instaluara pothuajse në tërë vendin. Për të evituar rrezikun nga minat, UNMIK-u ka përgatitur programin për mbrojtje nga minat dhe largimin e tyre, në kuadër të Qendrës për Koordinim (MACC). Xhon Flenagan, menaxher i MACC, thotë se me realizimin e programit kanë filluar qysh nga kthimi i parë i të dëbuarve. Qëllimi i programit është që kthimi i popullatës të jetë sa më i sigurt.

I pyetur se cilat janë zonat në të cilat operojnë, ai u përgjigj: "Për ne punojnë 16 organizata të ndryshme, në çdo komunë të Kosovës. Ato janë të vendosura në qendrat më të mëdha, por janë në gjendje të veprojnë kudo në Kosovë. Mund të themi se mirë e dijmë se ku ndodhen minat. E dijmë se rajonet në perëndim, Pejë, Deçan, Gjakovë, si dhe rajoni kufitar me Shqipërinë, janë shumë të minuara, si edhe kufiri me Maqedoninë, pjesa qendrore e Kosovës, nga Prishina deri në Ferizaj. Tentojmë t’i zbulojmë vendet me saktësi se ku ndodhen minat sa më shpejt që të jetë e mundur. Bashkëpunim të mirë kemi me organizatën "Hello Trust", e cila bën mbikëqyrjen e fshatrave. Ata bisedojnë me fshatarë për t’u informuar se a kanë njohuri lidhur me këtë çështje, se a ka pasur aty luftime të rënda apo bombardime të NATO-s".

Shumica e bombave që janë të instaluara në Kosovë janë të ngjashme me ato të gjetura në Bosnjë. Ekziston një numër i madh i minave kundërnjerëzore dhe kundërtankiste. Llojet e minave kundërnjerëzore janë të tipit PMA. Problem paraqet gjetja e minave të tipit PMA3, të cilat përmbajnë një sasi shumë të vogël metali, dhe për këtë nevojitet pajisje e përsosur detektuese, thotë Flenagan.

Për aksidentet e shkaktuar deri më tash, ai deklaroi: "Gjatë dy muajve që kur ka filluar kthimi i refugjatëve ka pasur 122 aksidente të ndryshme të shkaktuara nga minat, duke vrarë apo plagosur 170 veta. Tri ditët e para të kthimit të refugjatëve ishin më të vështira, për shkak të joinformimit për vendndodhjen e minave. Vetëm gjatë muajit të parë kanë ndodhur 97 aksidente, të cilat kohën e fundit po pakësohen dhe krejt kjo falë infomimit për vendndodhjen e minave. Na brengos fakti se me afrimin e dimrit njerëzit do të shkojnë në male për t’u furnizuar me dru për nxehje dhe i ekspozohen rrezikut të hasin në mina".

Menaxheri i MACC i apelon popullatës së Kosovës që të bashkëpunojë me këtë organizatë, duke e informuar për vendet e minuara. Posa shohin ndonjë vend ku dyshojnë se mund të ketë mina, duhet të informojnë ushtarët e KFOR-it, të mos i prekin ato dhe të mos i heqin shiritat që shënojnë vendet e minuara.

 

Fondacioni "Soros" ndihmon arsimin e Kosovës

Katër milionë libra për nxënësit

Fondacioni "Soros" ka shumë plane për të ardhmen e Kosovës, sidomos në fushën e edukimit. Luan Shllaku, drejtor i këtij fondacioni, që tani është shndërruar në shoqatë të pavarur për Kosovën, thotë: "Me fondacionin tonë, në këtë periudhë kanë ndodhur dy-tri gjëra të rëndësishme. E para është se pasi që jemi larguar nga Prishtina, kemi pasur fatin të bashkohemi në Maqedoni dhe kemi vazhduar aktivitetin tonë, me organizatën tonë simotër, me fondacionin "Soros" në Maqedoni. Mund të them se kemi pasur një fat të madh se i tërë rrjeti i fondacionit "Soros" shumë shpejt ka reaguar, duke na mundësuar t’i përballojmë problemet e mëdha, të cilat të deportuarit nga Kosova i kanë hasur në Maqedoni, kështu që, marsi dhe prilli ishin muajt kur kemi realizuar shumë programe, kryesisht me refugjatë. Dhe, moment tjetër shumë i rëndësishëm është kur zoti Xhorxh Soros, i cili mbështet tërë rrjetin e këtyre fondacioneve, vendosi që fondacioni i Prishtinës tash e tutje të jetë fondacion i pavarur, sepse në strukturën e mëparshme ishim një prej zyrave të fondacionit të Beogradit".

Ky fondacion u angazhua në gjetjen dhe botimin e librave shkollorë për nxënësit, të cilëve së shpejti do t’u fillojë viti shkollor. Shllaku thotë seUNICEF-i është duke bërë një punë të shkëlqyeshme në koordinimin e të gjitha iniciativave për rikonstruimin e shkollave dhe për gjetjen e zgjidhjes për shkollat të cilat nuk do të mund të meremetohen për kohë të shkurtër. Fondacioni "Soros" ka konstatuar se ka hapësirë për të përgatitur tekste shkollore për shkollat fillore dhe të mesme dhe ka marrë përsipër koordinimin e të gjitha iniciativave që sa më shpejt të botojë rreth 4 milionë libra dhe tekste shkollore për nxënësit.

"Për fat të mirë, kemi pasur një mbështetje nga fondacionet tona në Nju-Jork dhe në Budapest. Jemi duke arritur që shumë shpejt shumica e shtëpive botuese në Kosovë, së bashku me Institutin, të fillojnë shtypjen e librave, që besoj se me kohë do të arrijnë në duart e nxënësve tanë", thotë drejtori i fondacionit.

Ky fondacion ka edhe një program tjetër afatshkurtër. Bëhet fjalë për koordinimin e punëve mes subjekteve që do të kishin ndihmuar arsimin parashkollor, për 32 çerdhet e Kosovës, disa prej të cilave tashmë kanë filluar punën.

 

Enti Special në Shtimje pa asnjë mjek

Enti Special për personat e retarduar në Shtimje, me ndihmën e organizatave të ndryshme humanitare, tani gjendet në një pozitë paksa më të volitshme. Megjithatë, mungon kuadri profesional, sidomos ai i mjekëve. Në këtë institucion tani është kthyer rregulli, e qetësia dhe pastërtia janë në nivel. Në shumë vende vërehen edhe pankartat e organizatave të ndryshme, të cila në njëfarë mënyre tregojnë se janë të pranishëm në këtë ent. Ata ndihmojnë sidomos me ushqim, veshmbathje dhe barëra. Lirije Bytyçi, motër kryesore në këtë institucion, thotë: "Nuk kemi asnjë mjek, e as drejtor. Jemi vetëm 4 motra medicinale. Ndihmë na ka dhënë Handicap Internacional, Farmacistët e Botës, Mjekët pa Kufi dhe Kryqi i Kuq Norvegjez, i cili na ka premtuar se do të na sjellë ambulancën. Pasi që kemi mungesën e mjekëve të profileve të ndryshme, para së gjithash të psikiatërve, do t‘u dërgoja një apel të gjihë mjekëve kudo që janë: Ju lutem, ndihmoni! Kemi shumë nevojë për mjekë, ngase për këta të sëmurë duhet të kujdeset dikush!".

 

Meremetohen shkollat në mbarë Kosovën

Në periudhën e tashme të rindërtimit dhe të krijimit të kushteve për jetë dhe për punë të banorëve të Kosovës, në shumë vendbanime qytetarët, së bashku me përaqësuesit e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, kanë filluar rindërtimin dhe ndërtimin e objekteve shkollore dhe të objekteve përcjellëse. Një numër i objekteve dhe i shoqatave humnitare janë aftësuar për fillimin e vitit shkollor.

Si zgjidhje të përkohshme disa vende kanë propozuar dhe kanë filluar të sjellin në vendbanimet e dëmtuara tenda-shkolla në të cilat do t‘u mundësohet nxënësve vijimi i mësimit. Krahas kësaj, shkollat janë duke u pajisur edhe me inventar. Ushtarët kanadezë të KFOR-it kanë ofruar ndihmë konkrete për shkollën fillore "Arif Shala" në Korreticë të Poshtme të komunës së Gllogocit, kurse Kryqi i Kuq Britanik ka marrë përsipër meremetimin e dy shkollave në fshatin Tërstenik dhe Nekoc të Gllogocit. Pritet që meremetimi të përfundojë para fillimit të vitit shkollor.

 

Normalizohet gjendja në Spitalin e Gjilanit

Mbrojta shëndetësore në komunën e Gjilanit dita-ditës po përmirësohet. Deri më tash janë kthyer 488 punëtorë shëndetësorë, prej të cilëve 38 specialistë dhe 44 mjekë të praktikës së përgjithshme. Brenda ditës ndihmë mjekësore kërkojnë afër 600 pacientë, kurse në spital janë të shtrirë 385 pacientë. Po bëhen përpjekje që të krijohen kushte të punës në punktet shëndetësore, shumica e të cilave janë dëmtuar.

 

Komuna e Ferizajit

Qyteti që strehon banorët e mbarë Kosovës

Ferizaji me rrethinë ka rreth 127.000 banorë, ku 50 për qind janë në qytet. Kjo komunë ka 47 fshatra, të cilat janë të organizuara në 11 bashkësi lokale. Deri tani në komunën e Ferizaj janë kthyer 97.076 banorë.

Duke pasur parasysh se Ferizaji kufizohet me komuna që kanë qenë më pak të zhvilluara, siç është Kaçaniku, Shtërpca, Shtimja, Vitia, Lipjani e tjerë, interesimi i popullatës së kësaj ane për strehim në Ferizaj është shumë i madh.

Kohëve të fundit ka edhe shumë banorë nga komuna e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilët vijnë në këtë qytet për shkak të presionit që po ushtrohet mbi ta.

Në fillim situata në Ferizaj ishte mjaft e vështirë, për shkak se një numër i madh i banorëve të këtij qyteti kanë qenë të detyruar të largohen nga trojet e tyre kryesisht në Maqedoni dhe Shqipëri.

Sipas shënimeve të Këshillit Komunal të qytetit të Ferizajt ka pasur mbi 70 viktima të luftës, 24 të plagosur, 22 qytetarë të burgosur që gjenden nëpër burgjet e Serbisë. Ky qytet, sipas analizave që janë bërë, ka rreth 1.150 shtëpi të djegura dhe rreth 475 shtëpi të rrënuara pjesërisht apo tërësisht.

Pas vendosjes së forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, një ndër qëllimet kryesore i qytetarëve ishte që të bëhet konsolidimi i pushteteit lokal, që sa më parë të bëhet regjistrimi i dëmeve materiale, që të organizohet strehimi i popullatës dhe të fillohet me organizimin e ekonomisë, jetës kulturore, arsimit, shkencës e tjerë.

Pasi që popullata u kthye më shpejtë sesa pritej, lindën shumë vështirësi, e veçanërisht me furnizimin e gjërave elementare për jetesë, thotë kryetari i Komunës.

Sa i përket sigurimit të ushqimit, siç na njoftoi kryetari i kësaj komune, punët nuk janë duke shkuar ashtu siç janë paraparë. Ka pasur disa vështirësi, ndërsa si një nga pengesat më të mëdha ai e sheh te vendimi i Qeverisë së Maqedonisë (që u suspendua më vonë) për pagimin e taksave për kalimin tranzit nëpër Maqedoni të kamionëve që sjellin ndihma, që ka rezultuar me mungesë të ushqimit dhe medikamenteve në Kosovë.

Si çështje aktuale që i preokupon të gjithë qytetarët është pasiguria. Sigurinë e ka marrë përsipër KFOR-i, i cili s’ka mundësi që të mbajë rendin në këtë qytet, kështu që kërkohet që urgjentisht të formohen forcat e rendit publik. Problem është edhe çështja e komunikacionit, për shkak të dëmtimeve të mëdha të rrugëve, për shkak të mosrespektimit të rregullave të komunikacionit, por edhe për shkak të prezencës së madhe të automjeteve nga shtetet e jashtme, kështu që krijohet një pamundësi në mbajtjen e rendit në komunikacion.

Problem paraqitet edhe me furnizimin me ujë dhe me rrymë elektrike, por me ndihmën e disa organizatave të huaja humanitare banorët e këtij qyteti shpresojnë se shumë shpejtë do të tejkalohen edhe kjo gjendje.

Komuna e Ferizajit ballafaqohet me shumë probleme, ndërsa rrezik më të madh paraqesin zonat e shumta të minuara. Nga moskujdesi, në këto zona kanë humbur jetën 6 veta në këtë rajon. Me ndihmën e Shtabit të Zonës Operative të Nerodime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës s dhe KFOR-it, por edhe organizatave të cilat merren me gjetjen dhe çmontimin e mjeteve shpërthyese, janë gjetur terrenet të cilat janë më tepër të minuara dhe janë duke punuar në pastromin e tyre.

 

Në klinikën e Prishtinës

24 FËMIJË PA PRINDËR

Avdi Podvorica, punëtor social në Qendrën Sociale në Prishtinë, u bën apel bamirësve, kudo që janë: Duke pasur parasysh pasojat e luftës, në kushte tejet të vështira, pa kujdesin prindëror ka mbetur një numër i madh i fëmijëve. Kështu që, Qendra për Punë Sociale në Prishtinë, bën apel me të cilin kërkon: "Nga klinika e Prishtinës, ku gjenden momentalisht 24 fëmijë pa prindër, të moshës 3-11 muaj, të cilët nuk mund të qëndrojnë më tutje në spital, apelojmë te qytetarët e Kosovës, të cilët kanë mundësi të bëjnë strehimin e tyre të përkohshëm deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare, të paraqiten në lokalet e Qendrës për Punë Sociale, ish-rruga e "Armatës", nr. 69/C, apo te "Qafa" në Prishtinë, ose përmes telefonit 534-712, ku do të arrihet marrëveshja për mënyrën e vendosjes së tyre dhe për kompensimin material. Falënderojmë të gjithë të interesuarit për gjestin human dhe solidar, meqë vetëm në këtë mënyrë mund ta zgjedhim një problem akut të këtyre fëmijëve të mbetur pa kujdesin prindëror, kur nuk jemi në gjendje t’u ofrojmë ndonjë formë tjetër të mbrojtjes".